Secondary Adv

Buxheti i FSHZH rritet me 17 per qind, 19.74 mld lekë për investime në rrugë, parkime e ujësjellësa

Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të administrojë 19.74 miliardë lekë në vitin 2026, një rritje prej afro 17% krahasuar me vitin aktual, duke shtuar projektet në infrastrukturë rrugore, ujësjellësa dhe zhvillim urban.

Rritje e fondeve dhe projekte të reja

Buxheti i FSHZH-së për vitin 2026 arrin në gati 20 miliardë lekë, ndërsa 2.45 miliardë lekë janë të dedikuara për investime të reja. Pjesa tjetër shkon për vijimin e projekteve ekzistuese në zhvillimin urban, qendrat multifunksionale, turizmin dhe infrastrukturën rrugore. Programet e zhvillimit marrin peshën kryesore të fondeve me 9.8 miliardë lekë, ndërsa ndërhyrjet në shtresat asfaltike në katër rajone të vendit mbeten ndër zërat kryesorë të financimit.

 

Ujësjellësa, parkime dhe projekte urbane

Pas infrastrukturës rrugore, prioritetet e tjera buxhetore përfshijnë investimet në ujësjellësa dhe projektet për ngritjen e infrastrukturës së Kolegjit të Evropës. Brenda programeve të zhvillimit, planifikohet nisja e projekteve të reja me vlerë 4.85 miliardë lekë, ku 1 miliard lekë janë të parashikuara të shpenzohen në 2026.

 

Fokus te infrastruktura vendore dhe rigjenerimi urban

Për infrastrukturën vendore dhe rajonale janë planifikuar 7.4 miliardë lekë, që mbështesin rigjenerimin urban në Rajonin 2, ndërhyrjet në zonat bregdetare, përmirësimin e infrastrukturës së parkimit dhe projektet për rinovimin e stokut të banesave. Projektet e reja në këtë kategori kanë një vlerë totale prej 6 miliardë lekësh, me 1.2 miliardë lekë të parashikuara për vitin 2026.

 

Programi “100 fshatrat” me financim të dedikuar

Kategoria tjetër e rëndësishme në buxhetin e FSHZH është programi “100 fshatrat”, që merr 2.5 miliardë lekë për vitin 2026. Janë parashikuar gjithashtu projekte të reja me vlerë 2.7 miliardë lekë, nga të cilat 200 milionë lekë të dedikuara për vitin e ardhshëm.

Burimi: Scantv


Më të lexuarat